Në kuadër të projektit “Zhvillimi i zonave Rurale përmes avancimit të shërbimeve këshillimore”, veçanërisht aktivitetit “Ngritja e kapaciteteve të këshilltarëve publik dhe privat për bujqësi dhe zhvillim rural”, u realizuan dy vizita në teren.
Vizita e parë u zhvillua në biznesin privat, fermën e lopëve dhe qumështoren “EUROLONA” më datën 16.03.2024. Ky biznes ka një eksperiencë të gjatë, duke funksionuar që nga viti 2000. Në kuadër të kompanisë gjendet ferma e lopëve me kapacitet prodhues 2000 litra qumësht në ditë. Përveç kësaj, ata kultivojnë kultura të ndryshme në një sipërfaqe prej 500 hektarësh dhe posedojnë mullirin për prodhimin e miellit dhe ushqimit të koncentruar për kafshët. Në qumështoren e tyre prodhohen produkte si qumështi ditor, jogurti, kosi, ajroni, djathi dhe gjiza. Biznesi gjithashtu ka një bashkëpunim të ngushtë me mbi 150 fermer në zonën e tyre.
Kjo vizitë ofroi një mundësi të shkëlqyer për të vlerësuar praktikat e mira dhe sfidat në fushën e bujqësisë dhe prodhimit të qumështit në kontekstin e zhvillimit rural. Këshilltarët dhe specialistët e projektit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja dhe ide me pronarët e biznesit, duke ndihmuar në avancimin e njohurive dhe praktikave të mira në këtë sektor. Vizitat e tilla janë thelbësore për të ndihmuar në avancimin e sektorit bujqësor dhe rural, duke siguruar që fermat dhe bizneset e vogla dhe të mesme të kenë qasje në teknologji dhe praktika të avancuara për të rritur produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohën në vijim.
Kjo vizitë ishte pjesë e projektit të mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe u zhvillua nga Qendra Kosovare për Zhvillim (KDC).