Në kuadër të projektit “Zhvillimi i Zonave Rurale përmes Avancimit të Shërbimeve Këshillimore”, veçanërisht në aktivitetin “Ngritja e Kapaciteteve të Këshilltarëve Publik dhe Privat për Bujqësi dhe Zhvillim Rural”, janë realizuar dy vizita në teren për të zbatuar dhe promovuar praktikat më të mira në bujqësi dhe zhvillim rural.
Vizita e dytë u realizua në kompaninë “GGA – Food” SH.P.K në fshatin Leshan të Pejës, më datën 20 Mars 2024. Ky biznes specializohet në prodhimin e fidaneve për serra dhe fushë të hapur, si dhe prodhimin dhe përpunimin e perimeve në serra dhe fushë të hapur, duke përfshirë domate, tranguj, speca dhe shalqin. Përveç kësaj, ata gjithashtu merren me përpunimin dhe konservimin e perimeve, duke përfshirë salcën, ajvarin dhe turshin.
Biznesi “GGA – Food” SH.P.K është i pajisur me një serrë moderne prej 0.30 hektarësh, e cila përdor ngrohje dhe sisteme të automatizuara për lagshtinë, ajrosjen etj. Ky investim i tyre i fundit ka bërë që serrat e tyre të jenë ndër më të modernat në gjithë Kosovën.
Vizita në këtë biznes ofroi një eksperiencë të vlefshme për këshilltarët dhe personelin e projektit. Ata patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth teknikave moderne të bujqësisë dhe menaxhimit të serrave, si dhe të shohin në praktikë si një biznes i suksesshëm mund të diversifikojë produktet dhe të shfrytëzojë teknologjinë për të rritur efikasitetin dhe cilësinë e prodhimit. Kjo vizitë u shfaq si një shembull i mirë praktik për të ndjekur në zonat rurale të tjera, duke ndihmuar në ngritjen e nivelit të shërbimeve këshillimore dhe në përmirësimin e performancës së bizneseve bujqësore në Kosovë.
Ky vizitë ishte pjesë e projektit të mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe u zhvillua nga Qendra Kosovare për Zhvillim (KDC).